Viti 2025 është mbyllur me nivelin më të lartë të importeve ndonjëherë, duke kaluar mbi 7 miliardë euro, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës. Kjo shifër rekord nxjerr në pah varësinë e vazhdueshme të tregut vendor nga mallrat e huaja.
Të dhënat për pesë muajt e parë të vitit 2026 tregojnë se trendi i rritjes së importeve po vazhdon, duke iu afruar sërish nivelit të vitit paraprak. Krahasuar me vitin 2021, kur importet ishin rreth 4.65 miliardë euro, ato janë rritur me mbi 2.35 miliardë euro, ose rreth 50%.
Rritja më e madhe është shënuar në vitin 2022, me një zgjerim prej rreth 954 milionë euro ose 20.51%. Në vitin 2023 ritmi i rritjes u ngadalësua, ndërsa në vitin 2024 dhe 2025 importet u rritën sërish ndjeshëm, duke arritur kulmin historik.




