Ministrja në detyrë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se në 70-vjetorin e lindjes së Heroit Sali Çekaj, ka nënshkruar aktin nënligjor që rregullon ndarjen e çmimit “Sali Çekaj”.
Ky çmim do t’u dedikohet personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Gërvalla theksoi se figura e Sali Çekajt, përveç rolit të tij si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politikan vizionar, mbetet e lidhur ngushtë edhe me profilin e një juristi të guximshëm, mendjemprehtë dhe të vendosur.
Sipas saj, Çekaj përfaqëson një figurë frymëzuese për breza të tërë juristësh në vend, ndërsa ky çmim synon të kontribuojë në nderimin dhe lartësimin e trashëgimisë së tij.




