Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 22 qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 40 raste me fruth në vend, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar katër raste të reja.
Sipas të dhënave të publikuara, numri më i madh i rasteve është shënuar në Ferizaj, Prishtinë dhe Kaçanik, ndërsa raste janë regjistruar edhe në disa komuna të tjera të Kosovës.
IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj simptomave të fruthit dhe të paraqiten me kohë në institucionet shëndetësore në rast dyshimi për infektim.
Instituti gjithashtu ka apeluar tek prindërit dhe kujdestarët që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt, duke theksuar se vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.




