Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e 23-të, me qytetarë që janë mbledhur në Tiranë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimeve të planifikuara, të cilat i konsiderojnë rrezik për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit u pajisën me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa më pas marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri para Kryeministrisë.
Aty u këndua himni kombëtar dhe qytetarë e aktivistë mbajtën fjalime, duke kërkuar anulimin e projektit dhe duke shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë. Protesta u zhvillua pa simbole partiake.
Sipas organizatorëve, lëvizja qytetare ka pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike, shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, si dhe anulimin e projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.
Pas fjalimeve, protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e marshimeve dhe aksioneve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.




