Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte liruar nga akuza Mal Lokajn, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve në MMPHI, i akuzuar për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.
Themelorja kishte konstatuar se nuk ishte provuar se i pandehuri kishte kryer veprën penale, ndërsa Apeli ka vlerësuar se nuk ka shkelje esenciale të procedurës dhe se provat nuk e vërtetojnë elementin e veprës penale.
Gjykata ka theksuar se Lokaj e ka deklaruar pasurinë me vonesë, duke përmendur rrethanat e pandemisë COVID-19, dhe se nuk është provuar dashja për mosdeklarim.
Me këtë vendim të datës 11 shkurt 2026, Apeli ka refuzuar ankesat e Prokurorisë dhe ka lënë në fuqi lirimin e tij./EO/




