Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar sërish lidhur me projektin e gazit amerikan, duke e cilësuar atë si një çështje më të madhe dhe më serioze sesa po trajtohet aktualisht në opinionin publik.
Në një postim në Facebook, Hoti tha se kundërshtimi i këtij projekti nga qeveria e bën situatën edhe më të rëndësishme, duke theksuar se heshtja e qytetarëve nuk është opsion.
Sipas tij, reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar mbështetjen e Kosovës për aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për orientimin euroatlantik të vendit.
“Ky është moment për zërin e qytetarëve dhe për të dëshmuar se Kosova mbetet e rreshtuar krah SHBA-së”, ka shkruar Hoti.




