Deputetja e zgjedhur nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së institucioneve ndaj projekteve energjetike në vend, duke i akuzuar ato për mungesë transparence dhe për pengimin e investimeve strategjike.
Sipas saj, propaganda dhe ndikimi mbi opinionin publik fillojnë në momentin kur refuzohet një projekt pa u ofruar informacione të plota dhe argumente profesionale. Ajo përmendi edhe çështjen e tregtisë së energjisë elektrike, duke thënë se aferat e së kaluarës nuk janë mbyllur ende dhe se vazhdojnë të ketë dyshime për përfshirje të akterëve të ndryshëm.
Ymeri theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë sqarime të detajuara për projekte të rëndësishme kombëtare, siç është projekti i gazit amerikan. Ajo kritikoi mungesën e zhvillimit të projekteve energjetike, duke përmendur linjën e interkoneksionit 400 kV, bateritë energjetike, gazifikimin dhe projekte të tjera infrastrukturore.




