Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia mund të unifikojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvend në rast se posti i presidentit i ofrohet një kandidati nga radhët e LDK-së.
Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Haziri tha se emrat që mund të sigurojnë mbështetje të plotë brenda partisë janë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ose ai vetë.
“Lumiri është i pari për shkak të pozitës së kryetarit. Pas tij, konsensusin më të madh brenda LDK-së e kam unë”, u shpreh Haziri.
Ai theksoi se aktualisht Lumir Abdixhiku është adresa e vetme zyrtare për çdo bisedim eventual me Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se deri tani LDK-ja nuk ka marrë asnjë ftesë për negociata.
Sipas Hazirit, çdo ofertë eventuale nga LVV-ja do të shqyrtohet nga organet e partisë, të cilat do të vendosin për hapat e mëtejmë.




