Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Dalja N’dritë”, të autorit Hazir Reka, e cila sjell përmes fotografive disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së afërt të Kosovës.
Kurti vlerësoi punën e fotografit Hazir Reka, duke theksuar se fotografitë e ekspozuara dokumentojnë me përkushtim ngjarje dhe figura që kanë luajtur rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Fotografitë fokusohen në periudhën e viteve 1988-1989, duke sjellë pamje nga protestat qytetare dhe greva e minatorëve të Trepçës në Stantërg, ngjarje që konsiderohen ndër momentet kyçe të rezistencës së asaj kohe.
Kurti theksoi se ekspozita është një nderim për minatorët dhe për të gjithë ata që kontribuuan në përpjekjet për liri dhe Republikë, si dhe një vlerësim për punën shumëvjeçare të autorit.
Ekspozita “Dalja N’dritë” do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 4 korrik, çdo ditë përveç të dielës, nga ora 11:00 deri në 18:00.




