Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për gazin amerikan nuk duhet parë vetëm si një projekt energjetik, por si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.
Sipas saj, në kushtet e zhvillimeve globale, siguria energjetike është bërë po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, ndërsa vendimet që merren sot do të ndikojnë në pozicionin e Kosovës në dekadat e ardhshme.
Çitaku ka theksuar se pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore dhe se projektet energjetike duhet të shihen në funksion të sigurisë, ekonomisë dhe partneriteteve strategjike.
Ajo ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj projekteve energjetike ndër vite, duke vlerësuar se mungesa e investimeve dhe alternativave ka ndikuar në rritjen e varësisë nga importi i energjisë dhe në rritjen e kostove për qytetarët dhe bizneset.




