Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin e vrasjes së trefishtë që ndodhi në nëntor të vitit 2021 në Gllogjan të Deçanit.
Të akuzuar në këtë rast janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj. Në fjalën përfundimtare, prokuroria ka theksuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor kanë vërtetuar fajësinë e tyre, duke kërkuar dënimin maksimal të paraparë me ligj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, tre të pandehurit ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Deçanit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe të shtyrë nga motive hakmarrjeje, privuan nga jeta tre persona, përfshirë dy nxënës 17-vjeçarë.
Nga sulmi humbën jetën shoferi i autobusit G.Gj., si dhe nxënësit L.H. dhe G.M., ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Aktakuza përshkruan se autorët kishin studiuar paraprakisht terrenin dhe lëvizjet e autobusit, ndërsa sulmi u krye në momentin kur autobusi po qarkullonte në linjën e tij të zakonshme.
Sipas prokurorisë, motivi i ngjarjes lidhet me një rast vetëvrasjeje të ndodhur në qershor të vitit 2020, për të cilin familja Mehmetaj kishte fajësuar shoferin e ndjerë.




