Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kosova nuk e ka refuzuar mundësinë e përfshirjes në projekte që lidhen me gazin amerikan, por se çdo vendim do të merret pas vlerësimeve të ekspertëve dhe institucioneve përgjegjëse.
Ajo tha se çështja e gazit nuk mund të trajtohet me përgjigje të thjeshta “po” ose “jo”, por kërkon analizë të plotë të kostove dhe përfitimeve për qytetarët e Kosovës.
“Sa i përket kësaj çështje, nuk është e thjeshtë të përgjigjemi me ‘po’ ose ‘jo’. Duhet të ketë diskutime në nivel të institucioneve dhe ekspertëve, në mënyrë që të vlerësohen përfitimet dhe kostot për qytetarët e Republikës së Kosovës,” tha Haxhiu.
Ajo shtoi se institucionet e Kosovës nuk kanë refuzuar projekte që janë në interes publik dhe mbeten të hapura për diskutime serioze lidhur me këtë çështje.
“Ne nuk ia kemi mbyllur derën diskutimeve serioze dhe jemi të hapur për të analizuar këtë projekt. Institucionet po punojnë dhe po shqyrtojnë të gjitha aspektet e nevojshme,” u shpreh ajo.




