Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (PfP).
Sqarimi vjen pas raportimeve në media se Kosova nuk është ftuar në samitin e ardhshëm të NATO-s.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, Ministria thekson se edhe në të kaluarën Kosova nuk ka qenë pjesëmarrëse në samitet e NATO-s si shtet i ftuar.
“Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit Partnership for Peace. Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, thuhet në përgjigje.
Ministria saktëson se samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare, si dhe të partnerëve të ftuar në raste të veçanta.
“Edhe në të kaluarën, Kosova nuk ka marrë pjesë në Samit si shtet pjesëmarrës. Përjashtim kanë qenë ftesa për aktivitete të veçanta në margjinat e samitit, si aktiviteti ‘Women, Peace and Security’, i organizuar nga SHBA gjatë samitit të NATO-s vitin e kaluar”, thuhet më tej.
Ministria e Mbrojtjes thekson se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO, duke vijuar reformat dhe forcimin e bashkëpunimit me Aleancën dhe shtetet anëtare.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës
NATO




