Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit do të nisin takimet me partitë politike për çështjen e presidentit.
Ajo tha se fillimisht duhet të përfundojë procesi i certifikimit, ndërsa më pas pritet të zhvillohen konsultimet politike me qëllim arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi i Kosovës.
“Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj do të ketë takime me partitë politike, me shpresë që të arrihet konsensus për presidentin e vendit,” ka deklaruar Haxhiu.
Ajo shtoi se pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë, kryetari i ri i Kuvendit do të ketë të drejtën kushtetuese të mandatojë kandidatin për kryeministër.
E pyetur nëse do të jetë kandidate për presidente, Haxhiu është përgjigjur shkurt: “Jo, nuk do të jem kandidate për presidente.”
Sa i përket raportimeve se Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s, ajo ka thënë se institucionet janë duke mbledhur informacione dhe ka kërkuar që pyetjet t’u drejtohen institucioneve kompetente./EO/




