Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ka asnjë vendim të ri për shtyrjen e afatit të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Më herët, Trupi Gjykues kishte zgjatur afatin për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik 2026, duke lënë mundësinë e një shtyrjeje tjetër vetëm nëse kjo do të konsiderohej “absolutisht e nevojshme”.
Në një përgjigje për media, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 është nxjerrë urdhri për shtyrjen e afatit dhe se çdo vendim i ri për zgjatje do të merret vetëm nëse rrethanat e rastit e kërkojnë.
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, çdo shtyrje shtesë përtej afatit bazë mund të bëhet vetëm në raste të domosdoshme dhe me vendim të Trupit Gjykues, i cili gjithashtu duhet të njoftojë palët dhe opinionin publik.
Aktualisht, nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje përtej datës 20 korrik 2026, që do të thotë se aktgjykimi pritet të shpallet brenda këtij afati, përveç nëse gjykata vendos ndryshe në vijim.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryetari Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.
Procesi gjyqësor ka nisur në prill 2023 dhe është një nga rastet më të mëdha në Dhomat e Specializuara të Kosovës.




