Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë, duke i cilësuar ato si “gjykatë speciale raciste” dhe duke pretenduar se janë krijuar nën presion dhe ndikim ndërkombëtar.
Sipas KMDLNJ-së, Gjykata Speciale ka devijuar nga qëllimi fillestar për të siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për shkeljet e së drejtës humanitare, duke vepruar mbi baza etnike dhe duke ndjekur penalisht vetëm shqiptarët.
Në reagim thuhet se gjykata ka shkelur parimet e transparencës, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm. Po ashtu, kritikohet refuzimi i kërkesave për masa më të lehta ndaj të paraburgosurve pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe fjalëve përmbyllëse.
KMDLNJ gjithashtu kritikon institucionet e Kosovës dhe aktorët politikë për mungesë reagimi ndaj veprimeve të Gjykatës Speciale, duke pretenduar se ka mbetur e vetmuar në kundërshtimin e saj.
Në fund, KMDLNJ vlerëson se vendimi në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të shpallet mes shtatorit dhe nëntorit të vitit 2026.




