Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas rasteve të fundit që përfshijnë gazetaren Meme Smajli dhe ekipin e televizionit Dukagjini, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për degradim të diskursit publik dhe nxitje të sulmeve ndaj gazetarëve.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kusari tha se narrativa anti-media e krijuar nga partia në pushtet po përkthehet në kërcënime, intimidim dhe madje edhe dhunë fizike ndaj gazetarëve.
Ajo theksoi se dy rastet e fundit e ilustrojnë këtë situatë, duke përmendur raportimin e gazetares Meme Smajli për një çështje të privatizimit të një prone të lidhur me familjen e një deputeti, pas së cilës, sipas saj, ka pasur akuza, paralajmërime për padi dhe mesazhe fyese e kërcënuese.
Kusari iu referua edhe rastit të raportuar nga televizioni Dukagjini në Gjilan, ku gazetarët, sipas saj, janë përballur me sulm fizik gjatë raportimit për punimet në sheshin e qytetit.
Ajo shtoi se ende nuk ka pasur reagim nga kryetari i Komunës së Gjilanit lidhur me rastin.
Sipas Kusarit, në një ambient ku sulmet ndaj kritikëve normalizohen nga pushteti, raste të tilla nuk janë të papritura dhe reflektojnë gjendjen e përgjithshme të diskursit publik në vend.




