Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar lidhur me mosftesën e Kosovës në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara të Turqisë.
Sipas MPJD-së, Kosova nuk merr pjesë në samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, pasi nuk është anëtare e Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe.
Ministria thekson se në samitin e radhës do të marrin pjesë vetëm vendet anëtare të NATO-s, si dhe disa partnerë të ftuar në raste të veçanta, në varësi të agjendës.
Në këtë kontekst, përveç 32 vendeve anëtare, ftesë kanë pranuar edhe partnerë të NATO-s nga kuadri Indo-Pacific Four (IP4), përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re, si dhe Ukraina në cilësinë e partnerit.
MPJD kujton se Kosova deri më tani nuk ka marrë pjesë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Sipas saj, pjesëmarrja e mëparshme ka qenë vetëm në aktivitete anësore, si “Women, Peace and Security”, të organizuara paralelisht me samitet, por jo në vetë takimin e liderëve të NATO-s.




