Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Nikolaus Marschik.
Ajo rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse për anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë shërbimit në shtetin pritës, duke lehtësuar kushtet për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve.
Pas nënshkrimit, palët diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, thellimin e bashkëpunimit ekonomik e institucional, si dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Gjithashtu u zhvilluan konsultime politike ndërmjet dy ministrive të jashtme, ku u theksua gatishmëria për vazhdimin e dialogut dhe nismave të përbashkëta në të ardhmen.




