Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ka deklaruar se Kosova duhet të përgatitet për të marrë më shumë përgjegjësi në fushën e sigurisë, në një kohë kur NATO po përballet me presione për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Në një intervistë për RTK-në, Petritsch tha se njoftimet e Uashingtonit për tërheqjen e një pjese të trupave amerikane nga Evropa mund të kenë ndikim edhe në Kosovë.
“NATO është nën presion të madh nga Uashingtoni. SHBA-ja tashmë ka bërë të ditur publikisht se synon të tërheqë trupat e saj nga Evropa, dhe kjo ndikon edhe në Kosovë”, është shprehur ai.
Sipas Petritschit, Kosova duhet të forcojë gradualisht kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të shndërrohet në një faktor stabiliteti në rajon.
“Do t’ju duhet të merrni vetë përgjegjësinë për sigurinë tuaj. Duhet të bëheni një ofrues sigurie për Kosovën dhe për rajonin, si dhe një faktor stabilizues”, ka theksuar ish-diplomati austriak.
Ai ka bërë thirrje që Kosova të luajë një rol më konstruktiv në proceset evropiane dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Na duhet që Kosova të bëhet një partner konstruktiv në Evropë”, ka përfunduar Petritsch./EO/




