Një grup prej 22 përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile i kanë dërguar një letër presidentes së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ku shprehin shqetësime lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në letër theksohet se qëllimi nuk është të paragjykohet vendimi i gjykatës, por të ngrihen çështje që, sipas nënshkruesve, ndikojnë në perceptimin publik për drejtësinë, transparencën dhe besueshmërinë e procesit.
Mes shqetësimeve kryesore përmenden paraburgimi i zgjatur i të akuzuarve, përdorimi i dokumenteve që burojnë nga institucionet serbe të viteve ’90, perceptimi për përgjegjësi kolektive ndaj UÇK-së, mungesa e besimit publik në gjykatë dhe ndikimi që mund të ketë vendimi përfundimtar në raportet ndëretnike dhe stabilitetin politik në Kosovë.
Autorët e letrës kërkojnë më shumë transparencë nga Specialja, një përgjigje publike ndaj shqetësimeve të ngritura nga ekspertët ndërkombëtarë, rishikim të praktikës së paraburgimit dhe monitorim të pavarur të procesit gjyqësor.
Në fund, ata theksojnë se mbështesin llogaridhënien për çdo krim të pretenduar, por kërkojnë që drejtësia të zbatohet përmes një procesi që perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i besueshëm nga qytetarët.




