Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takimin e rregullt javor me përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, në kuadër të koordinimit për procesin e integrimit evropian.
Në takim morën pjesë ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, shefi i bashkëpunimit Hubert Perr dhe zyrtari politik Liudas Kolesinskas.
Gjatë diskutimeve u trajtua progresi në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, rezultatet e fundit të Komitetit Monitorues, si dhe hapat e ardhshëm të raportimit. Po ashtu, u shqyrtua ecuria e projekteve të financuara nga WBIF dhe IPA.
Zulfaj theksoi se koordinimi i vazhdueshëm ndërinstitucional është thelbësor për zbatimin e reformave dhe për shfrytëzimin e mbështetjes së BE-së në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.




