Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se Kosova nuk ka kapacitet institucional, politik apo ekonomik për të bllokuar projekte me interes strategjik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund ta ekspozojë vendin ndaj izolimit ekonomik dhe politik.
Sipas Gashit, mungesa e një strategjie të mirëfilltë shtetërore për sektorin e energjisë mbetet një nga sfidat kryesore të Kosovës. Ai theksoi se ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike me thëngjill, gazifikimi, lidhja me rrjetet ndërkombëtare të gazsjellësve dhe zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme duhet të trajtohen si prioritete strategjike afatgjata.
Gashi rikujtoi gjithashtu kundërshtimin që Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë projektit të gazifikimit të thëngjillit të udhëhequr nga gjenerali amerikan Wesley Clark gjatë periudhës 2013–2020.
Ai vlerësoi se Kosova ka potencial të shndërrohet në eksportuese neto të energjisë, por për këtë nevojitet një vizion i qartë dhe një konsensus politik afatgjatë për zhvillimin e sektorit energjetik.




