Pas disa ditësh me temperatura të larta, në Kosovë pritet një ndryshim i motit nga mesi i javës, me ulje të temperaturave dhe reshje lokale shiu.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, fillimi i javës do të karakterizohet nga vapë intensive, ndërsa e hëna pritet të jetë dita më e nxehtë, me temperatura që do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Edhe të martën moti do të mbetet i nxehtë, me temperatura deri në 35 gradë.
Nga e mërkura pritet depërtimi i një mase ajrore më të freskët, e cila do të sjellë reshje lokale shiu, shkarkime rrufesh dhe në disa zona edhe mundësi për breshër e erëra më të fuqishme.
Temperaturat do të bien ndjeshëm të enjten dhe të premten, kur maksimalet do të lëvizin nga 24 deri në 28 gradë Celsius.
IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ditëve më të nxehta të shmangin ekspozimin në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike në ambiente të hapura.




