Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar një paketë të re rregullash që ndryshon procedurat e kontrollit në pikat kufitare, duke shfuqizuar vendimet e mëparshme të viteve 2016 dhe 2023 dhe duke u përafruar me “Kodin e Kufijve Shengen” të Bashkimit Evropian.
Rregullat e reja vendosin standarde të përditësuara për kalimin e kufirit, përfshirë kategori të ndryshme për kalim të përshpejtuar dhe verifikim të thjeshtuar për disa grupe si zyrtarët shtetërorë, trupat diplomatike dhe punonjësit e emergjencave.
Një pjesë e rëndësishme e vendimit lidhet me udhëtimin e të miturve, ku janë forcuar procedurat e kontrollit për parandalimin e trafikimit dhe braktisjes. Fëmijët nën 16 vjeç do të udhëtojnë vetëm me shoqërim dhe deklaratë noteriale nga prindërit, ndërsa për grupmoshën 16–18 vjeç kërkohet leje e prindërve me të dhëna të detajuara për destinacionin.
Vendimi i ri përcakton gjithashtu mënyrën e kontrollit sipas mjeteve të transportit, nga makinat private deri te avionët dhe trenat, duke synuar rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në pikat kufitare.
Rregullat hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.




