Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se nga 16 prilli deri më 29 qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth në vend.
Sipas të dhënave, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 14 raste, Ferizaj 12, Kaçanik 6, Fushë-Kosovë 3, ndërsa Lipjani, Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi kanë nga 2 raste secila. Nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK u bën thirrje qytetarëve që të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të simptomave si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit.
Po ashtu, instituti apelon tek prindërit që të kontrollojnë vaksinimin e fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit zyrtar, duke theksuar se vaksinimi mbetet masa më efektive për parandalimin e përhapjes së fruthit.




