Anëtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar lidhur me dialogun strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Serbinë, duke e krahasuar me pezullimin e dialogut të njëjtë me Kosovën vitin e kaluar.
Hamiti ka rikujtuar se SHBA-ja në shtator të vitit 2025 kishte pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, duke theksuar se vendimi ishte marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, të cilat sipas Ambasadës amerikane kishin rritur tensionet dhe kishin vështirësuar bashkëpunimin.
Ai ka kritikuar vazhdimin e qeverisjes nga Kurti si kryeministër në detyrë dhe situatën aktuale politike në vend, duke thënë se Kosova ka humbur mbikëqyrjen parlamentare.
Hamiti ka deklaruar se zhvillimet e fundit janë pasojë e qeverisjes së Vetëvendosjes, e cila sipas tij ka krijuar një situatë të pafavorshme për vendin në raportet ndërkombëtare.




