Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se kërkesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim me kusht është legjitime dhe e mbështetur në baza juridike.
Sipas tij, duke pasur parasysh se për bashkëakuzuarit e tjerë në të njëjtin proces janë miratuar kërkesa të ngjashme, çdo vendim tjetër ndaj Thaçit do të duhej të bazohej në rrethana të reja dhe konkrete.
Bajraktari ka theksuar se administrimi i provave dhe dëshmive ka përfunduar, duke ulur sipas tij rrezikun e ndikimit në proces. Ai ka përmendur edhe vlerësimet e mëhershme të trupit gjykues se nuk ekziston rreziku i arratisjes për drejtuesit e UÇK-së.
Ai ka deklaruar se zbatimi i standardeve të njëjta është thelbësor për barazinë para ligjit dhe se miratimi i kërkesës do t’u mundësonte Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tjerë kthimin në Kosovë në rast të një vendimi lirues.




