Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka bërë të ditur se 31 persona janë të hospitalizuar si pasojë e dyshimeve për helmim ushqimor, ndërsa pesë prej tyre janë nga Komuna e Hanit të Elezit.
Sipas njoftimit të QKUK-së, gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive. Nga analizat laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis.
Mjekët kanë bërë të ditur se pacientët e hospitalizuar janë duke marrë trajtim dhe gjendja e tyre shëndetësore është duke u përmirësuar.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë pranuar edhe pesë pacientë nga Hani i Elezit me simptoma të ngjashme. Sipas deklarimeve të tyre, dyshohet se numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion mund të jetë më i madh.
Ekipet mjekësore po vazhdojnë ekzaminimet dhe monitorimin e pacientëve, ndërsa institucionet përgjegjëse po punojnë për të përcaktuar burimin e infeksionit.




