Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale lidhur me hetimet për rastin e shpronësimeve në Shipitullë.
Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi ka deklaruar se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe se është përgjigjur për të gjitha çështjet për të cilat ka pasur informacion.
Ai ka thënë se kjo çështje është ngritur prej kohësh nga kundërshtarët e tij politikë, ndërsa ka mirëpritur nisjen e hetimeve nga Prokuroria.
“Jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe kërkoj që hetimi të shkojë deri në fund. Edhe më herët kam kërkuar që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij, gjatë intervistimit ka dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet e parashtruara nga prokurori.
Thaçi ka mohuar se do të ndikohet nga presionet apo kërcënimet, duke thënë se do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve të Obiliqit.




