Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se ngërçi politik po ndikon seriozisht në funksionimin e institucioneve dhe agjencive të pavarura, të cilat vazhdojnë të operojnë me mandate të skaduara, pozita të paplotësuara dhe procedura të bllokuara për emërimin e drejtuesve.
Sipas IKD-së, mungesa e emërimeve ka lënë pa përbërje të plotë institucione të rëndësishme, si Këshilli Kombëtar i Shkencës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona, si dhe Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të plotësohet me dy gjyqtarë.
Instituti thekson se gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose po përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve kyçe, ndërsa vonesat në emërime rrezikojnë vendimmarrjen dhe funksionimin e tyre.
IKD e lidh këtë situatë me krizën e zgjatur politike dhe moskonstituimin e Kuvendit, duke i bërë thirrje institucioneve që, pas konstituimit, të përfundojnë sa më shpejt procedurat e emërimit në përputhje me ligjin.




