Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të ndërmarrin masa shtesë për mbrojtjen e punëtorëve, pas paralajmërimeve për stuhi në Kosovë.
Në njoftim kërkohet veçanërisht nga subjektet që operojnë në sektorë me rrezikshmëri të lartë të kontrollojnë pajisjet dhe mjetet e punës, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar sektorit të ndërtimtarisë, ku punëdhënësit duhet të verifikojnë gjendjen teknike dhe stabilitetin e vinçave dhe pajisjeve të tjera ngritëse.
Apeli vjen pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për reshje lokale shiu, shkarkesa rrufesh, erëra të fuqishme dhe mundësi për breshër në disa zona gjatë pasdites dhe mbrëmjes.
Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.




