Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dhënë fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj 13 të akuzuarve për organizim të bixhozit të paligjshëm, kontrabandë me mallra, shmangie tatimi dhe shpëlarje parash.
Prokuroria Speciale kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, duke theksuar se provat e administruara mbështesin përgjegjësinë penale të secilit prej tyre.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kundërshtuan akuzat, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për fajësinë e klientëve të tyre. Ata kërkuan aktgjykim lirues, ndërsa në disa raste theksuan se të akuzuarit ishin përballur edhe më herët me akuza të ngjashme, por ishin shpallur të pafajshëm me vendime të formës së prerë.
Në këtë rast janë të akuzuar 13 persona, ndërsa vendimi i Gjykatës pritet të merret pas shqyrtimit të fjalëve përfundimtare të palëve.




