Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Kadrijaj tha se politikanët serbë duhet ta pranojnë realitetin dhe të mos rikthehen te retorikat e së kaluarës.
“Është mirë me pranu realitetin dhe mos me pa ëndrra me sy hapur. Kosova e ka kryer misionin me Serbinë dhe ka një rrugëtim të qartë drejt Evropës. Në vitet 1998-1999, Kosova i ka dhënë përgjigje regjimit të Millosheviqit”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se Serbia duhet ta shohë orientimin e saj, ndërsa Kosova, sipas saj, ka luftuar për lirinë dhe shtetin e saj.
Kadrijaj deklaroi gjithashtu se, nëse do të ishte e nevojshme, ajo do të ishte sërish e gatshme për ta mbrojtur vendin.
“Nëse duhet të luftohet, kam me luftu. Nuk mundem me i ik një obligimi kur atdheu ka nevojë”, tha ajo në Klan Kosova.
Deklarata e Paunoviqit ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova e ka shpallur atë person non-grata.




