Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian kanë vizituar Zveçanin, ku janë takuar me kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës për të diskutuar funksionimin e qeverisjes lokale dhe sfidat me të cilat përballen këto komuna.
Kryetarët kanë paraqitur probleme që lidhen me mungesën e arkivave, stafit profesional, kufizimet buxhetore, çështjet pronësore dhe koordinimin me nivelin qendror.
Përfaqësuesit e BE-së zhvilluan takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga radhët e opozitës.
Bashkimi Evropian ka riafirmuar përkushtimin për forcimin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë dhe ka kërkuar bashkëpunim më të mirë mes institucioneve lokale dhe qendrore, me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.




