Prokuroria Themelore në Pejë ka ndaluar një person të dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti ka ndodhur në bjeshkët e Komunës së Deçanit, ku një person ka humbur jetën nga arma e zjarrit. Pas daljes në vendin e ngjarjes, prokurorët dhe hetuesit kanë mbledhur prova materiale dhe kanë intervistuar dëshmitarë.
Sipas dyshimeve fillestare, viktima ka humbur jetën si pasojë e shkrepjes së armës nga pakujdesia.
I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Ndërkohë, arma e dyshuar është sekuestruar dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.




