Gati katër vjet pas largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës, autoritetet kanë nisur përgatitjet për një proces të ri rekrutimi për plotësimin e vendeve të lira.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë të ditur se po përgatit konkurs për pranimin e prokurorëve nga komuniteti serb. Në këtë proces do të mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë edhe ish-prokurorët që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë kishte ndodhur në kuadër të dorëheqjeve kolektive nga institucionet e Kosovës në veri. Pas përfundimit të procedurave për lirimin nga detyra të disa prokurorëve, KPK-ja po përgatitet të hapë rrugën për konkursin e ri.
Çështja ka shkaktuar reagime dhe diskutime lidhur me kohën e vendimit, riintegrimin e kuadrove serbë dhe përfaqësimin e komuniteteve në sistemin e drejtësisë.
Institucionet e Kosovës synojnë që përmes këtij procesi të plotësojnë vendet vakante dhe të forcojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet në fuqi./EO/




