Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke deklaruar se mungesa e rezultateve konkrete e ka shtyrë pushtetin të fokusohet në shpërndarjen e mjeteve financiare.
Sipas tij, një qeveri që ka qenë në pushtet për gjashtë vjet do të duhej të prezantohej para qytetarëve me arritje, e jo me shpërndarje të parave publike.
Mustafa theksoi se, sipas tij, përgjegjësia politike nuk po respektohet, duke përmendur edhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si shembull të mungesës së llogaridhënies.
Ai shtoi se përdorimi i buxhetit të shtetit për interesa politike, pa një vlerësim të qartë të rezultateve, është shqetësues. Për këtë arsye, tha se PDK-ja do të mbështesë çdo iniciativë që synon kufizimin e diskrecionit të Qeverisë dhe parandalimin e përdorimit të parasë publike për përfitime partiake.
Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një nismë legjislative qytetare që synon ndryshimin e Kodit Penal. Propozimi parasheh që përdorimi i parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore të sanksionohet penalisht.




