Një i ri nga Kosova është ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Horgoshit, në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, teksa po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se informacionin e ka marrë nga një burim të cilin e ka konfirmuar.
Sipas tij, i riu, i lindur në vitin 1997, vazhdon të qëndrojë në ambientet e policisë në pikën kufitare, ndërsa ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për statusin e tij procedural.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia serbe ka gjetur një emblemë të UÇK-së nën ulëse, ndërsa sipas burimit të avokatit, i riu nuk ka qenë në dijeni se ajo ndodhej aty. Në automjet janë gjetur edhe disa monedha të argjendta.
Avokati Koci ka bërë të ditur se, bazuar në informacionet e deritanishme, sjellja e policisë serbe ndaj të riut ka qenë korrekte.




