Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë të ditur se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) nuk i është përgjigjur kërkesës së saj për qasje në informata të detajuara rreth licencave të kërkuara nga palë të treta, përfshirë kompani vendore dhe të huaja.
Sipas Ymerit, kërkesa është dorëzuar më 11 korrik dhe është pranuar nga KPMM po atë ditë, por deri tani ajo nuk ka marrë përgjigje.
Ajo ka thënë se mungesa e informacionit lidhet veçanërisht me licencat për hulumtime minerare, për të cilat, sipas saj, ka pranuar vazhdimisht ankesa.
Ymeri ka ftuar qytetarët dhe palët e interesuara që të dërgojnë ankesat dhe dëshmitë e tyre në lidhje me kërkesat për hulumtim apo shfrytëzim të resurseve minerare.
Ajo ka bërë të ditur se këto të dhëna do të përdoren për përgatitjen e një raporti të detajuar, i cili pritet të prezantohet edhe në Kuvendin e Kosovës, si institucion mbikëqyrës i KPMM-së.




