Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për konfirmimin e rasteve të sëmundjes “Lija e Dhenve dhe Dhive” në disa zona të Kosovës, duke kërkuar nga fermerët të rrisin kujdesin dhe të zbatojnë masat mbrojtëse.
Sipas AUV-së, rastet janë evidentuar në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti. Fermerëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjen e kafshëve pa leje nga veterineri zyrtar dhe të kufizojnë kontaktin mes tufave të ndryshme.
Ndër masat e rekomanduara janë dezinfektimi i rregullt i objekteve dhe pajisjeve, kontrolli i hyrjeve në ferma dhe izolimi i kafshëve të reja para se të bashkohen me tufën.
AUV ka kërkuar që çdo rast me simptoma si temperaturë të lartë, plagë në lëkurë, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje të kafshëve të raportohet menjëherë te veterinerët ose inspektorët përkatës.
Institucioni ka bërë të ditur se sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit, por mund të shkaktojë pasoja ekonomike për fermerët dhe sektorin e blegtorisë.




