Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se çmimi i derivateve në Kosovë mund të shënojë një ulje të lehtë në ditët e ardhshme, nëse vazhdon trendi i rënies së çmimit të importit.
Sipas saj, ulja e mundshme nuk pritet të jetë e madhe, por rreth 1 deri në 2 centë për litër. Ajo bëri të ditur se importi i naftës ka regjistruar një rënie të vogël prej një centi krahasuar me ditët e kaluara.
Kusari-Lila theksoi se masa për vendosjen e çmimit maksimal dhe kufizimin e marzhës së fitimit ka ndihmuar në zbutjen e rritjeve të menjëhershme të çmimeve, duke mbrojtur konsumatorët. Sipas saj, kjo bën që edhe uljet e çmimeve të reflektohen gradualisht në treg.
Ajo shtoi se MINTI po shqyrton nëse kjo masë do të vazhdojë, si dhe mundësinë e ndryshimit të mënyrës së përcaktimit të çmimeve të derivateve.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se përfaqësuesit e sektorit të naftës kanë kërkuar heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit, ndërsa paralajmëroi një takim me ta për të diskutuar kërkesat dhe zhvillimet në treg./EO/




