Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 13 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli në pikën kufitare në Bërnjak.
Sipas njoftimit, një shtetas i huaj gjatë hyrjes në Kosovë kishte deklaruar se nuk posedonte para apo mallra për deklarim. Megjithatë, pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë, është kryer kontrolli i automjetit dhe i udhëtarit.
Gjatë kontrollit janë gjetur rreth 13 mijë euro, shumë kjo që tejkalon pragun ligjor prej 10 mijë eurosh, për të cilën kërkohet deklarim.
Dogana ka bërë të ditur se ndaj rastit janë ndërmarrë procedurat administrative, ndërsa mjetet monetare janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e verifikimeve për prejardhjen e tyre.




