Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku po zhvillohen gërmime për gjetjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit.
Haxhiu ka bërë të ditur se mbetjet e zbuluara në këtë zonë janë konfirmuar se kanë prejardhje njerëzore, ndërsa ka theksuar se tash pritet puna e institucioneve kompetente për ekzaminim dhe identifikim.
Ajo ka falënderuar institucionet e përfshira në proces, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Komisionin për Personat e Zhdukur me Dhunë, si dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Haxhiu ka kërkuar që të ruhet integriteti i hetimeve dhe të tregohet kujdes ndaj familjeve që presin informacione për fatin e të afërmve të tyre.
Sipas saj, çështja e personave të zhdukur mbetet një nga plagët më të mëdha të shoqërisë kosovare, edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës. Ajo ka theksuar nevojën për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe përballjen me pasojat e luftës./EO/




