Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka shprehur shqetësim për gjendjen e sigurisë së punëtorëve në Kosovë, duke theksuar se mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe kontrolleve të mjaftueshme po vazhdojnë të shkaktojnë raste tragjike në vendet e punës.
Sipas kësaj organizate, gjatë vitit të kaluar kanë humbur jetën 32 punëtorë, shumica prej tyre në sektorin e ndërtimtarisë. KMDLNj vlerëson se edhe gjatë vitit 2026 situata mbetet problematike, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të punës.
Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në aksidentet në punë, organizata përmend mungesën e masave mbrojtëse, kushtet e vështira atmosferike, mungesën e trajnimeve profesionale, si dhe mbikëqyrjen e pamjaftueshme institucionale.
KMDLNj ka ngritur shqetësimin edhe për punëtorët që angazhohen pa kontrata pune, duke theksuar se në raste aksidentesh ata shpesh mbeten pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre ligjore.
Organizata ka kërkuar rritjen e numrit të inspektorëve në terren dhe forcimin e kontrolleve ndaj punëdhënësve që nuk zbatojnë rregullat e sigurisë. Po ashtu, ka propozuar krijimin e një fondi të veçantë nga gjobat e shqiptuara për mbështetjen e familjeve të punëtorëve që humbin jetën ose mbeten me pasoja të rënda nga aksidentet në punë.
Sipas KMDLNj-së, kushtet e vështira ekonomike i detyrojnë shumë punëtorë të pranojnë vende pune me rrezik të lartë, duke e bërë sigurinë në punë një sfidë të vazhdueshme.




