Ministria e Ekonomisë dhe GIZ Kosovo kanë nënshkruar Marrëveshjen e Implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”, i cili synon të mbështesë avancimin e efiçiencës së energjisë dhe zgjerimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, projekti do të kontribuojë në përmbushjen e obligimeve të Kosovës në kuadër të Komunitetit të Energjisë, përmes përmirësimit të kornizës rregullative për investimet në efiçiencë të energjisë dhe sistemet e vetë-konsumit, zhvillimit të mekanizmave të financimit, mbështetjes për investitorët, përmirësimit të planifikimit komunal dhe promovimit të pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë.
Projekti financohet nga Qeveria e Gjermanisë me deri në 4 milionë euro, ndërsa bashkëfinancohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës me rreth 4.02 milionë euro, duke arritur një vlerë totale prej mbi 8 milionë euro.
Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, tha se marrëveshja dëshmon partneritetin e qëndrueshëm mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ajo theksoi se bashkëpunimi me GIZ-in dhe qeveritë e Gjermanisë e Danimarkës ka sjellë rezultate në avancimin e reformave në sektorin e energjisë dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale, duke shprehur besimin se ky partneritet do të vazhdojë të japë rezultate konkrete edhe në të ardhmen.




