Për shkak të temperaturave të larta, sot do të vendoset kufizim i përkohshëm për qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës, kufizimi do të zbatohet në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa pengesa.
Nga masa përjashtohen automjetet e policisë, shërbimeve të sigurisë, emergjencave dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve të transportit dhe qytetarëve që të respektojnë kufizimet gjatë periudhës së temperaturave të larta.




