Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku u vranë 42 civilë shqiptarë.
Seanca e parë ishte shtyrë më herët për shkak se disa avokatë nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës, ndërsa të tjerë kishin munguar.
Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025, me propozim për zhvillimin e gjykimit në mungesë. Sipas saj, të akuzuarit, si ish-pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, dyshohen se kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, dëbim të popullsisë civile, shkatërrim të pronës dhe spastrim etnik në Reçak gjatë viteve 1998–1999.
Sipas aktakuzës, të pandehurit mbajnë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krimet e pretenduara, të cilat konsiderohen shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.




