FIFA ka zbutur qëndrimin ndaj projektit të diskutueshëm “FIFA Forward Enterprise”, duke bërë të ditur se iniciativa nuk do të zbatohet pa miratimin e federatave anëtare.
Projekti, i cili u bë publik në fund të korrikut, parashihte krijimin e një subjekti komercial me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, ku investitorë privatë do të merrnin një pjesë të të drejtave tregtare të Kupës së Botës dhe Kupës së Botës për Klube.
Ideja shkaktoi reagime të forta nga disa konfederata dhe federata të futbollit, veçanërisht nga UEFA, e cila kundërshtoi mungesën e konsultimeve. Federatat evropiane shprehën shqetësime për ndikimin që mund të kishte ky projekt në strukturën dhe menaxhimin e futbollit ndërkombëtar.
Pas presionit të shtuar dhe kritikave nga brenda komunitetit të futbollit, FIFA sqaroi se aktivitetet e saj tregtare do të vazhdojnë sipas modelit aktual dhe se “FIFA Forward Enterprise” nuk do të krijohet pa miratimin e të gjitha 211 federatave anëtare.
Megjithatë, institucioni botëror i futbollit nuk e ka hequr përfundimisht nga diskutimi këtë ide. Konsultimet do të vazhdojnë, ndërsa një vendim pritet të merret në votimin e planifikuar për muajin shtator.




