Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj partie, i cili kërkon që deputetët të respektojnë vendimet e organeve partiake.
Ymeri ka publikuar pjesë nga Kushtetuta e Kosovës që lidhen me mandatin e deputetëve, duke theksuar se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen mandatit detyrues.
Ky reagim vjen pasi Kuvendi i LDK-së, pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut si kryetar, miratoi një deklaratë ku kërkohet që anëtarët dhe përfaqësuesit e partisë të zbatojnë vendimet e marra nga strukturat e saj.
Debati lidhet me rolin e deputetëve dhe raportin mes mandatit të tyre kushtetues dhe vendimeve të partisë.




